




Përkeqësimi i situatës nga pandemia duhet të shoqërohet me të tjera masa shtrënguese. Infeksionisti Pëllumb Pipero rekomandon mbylljen e të gjitha shkollave dhe lokaleve deri në fund të marsit.
Ndërsa në transportin publik, numri i udhëtarëve duhet të jetë i limituar sipas protokolleve të shëndetësisë.




“Deri nga fundit i marsit masat duhet të ishin më të shtrënguara, orari i kafeneve më i shkurtuar, të mos shërbehet në tavolina, por “delivery”. Shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm të ishin mbyllur deri në fund të marsit. Edhe pse nuk është zgjidhje e problemit, është zgjedhje e detyruar për nga ritmet e pandemisë pasi nuk janë kështu vetëm në vendin tonë”, u shpreh Pëllumb Pipero.
Pasi e kaloi jo lehtë koronavirusin, mjeku i spitalit Covid-1 tregon për A2 se kjo periudhë është mjaft e vështirë. Përhapja e virusit po favorizohet edhe nga temperaturat e ulëta, ndërsa thekson se të rinjtë janë me indiferentët ndaj respektimit të masave.
Pipero tërheq vëmendjen se këto javë, krahas rritjes së infektimeve, janë shtuar humbjet e jetës edhe tek moshat e reja.



