Juristi Kreshnik Spahiu ka vijuar me kritikat për vizitën e kryeministrit grek në Himarë. Një ditë më parë ai e theksoi se ishte gafë e madhe të quash Himarën zonë minoritare.
Sot përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu shprehet se ata janë emigrantë të ardhur në atë zonë. Por sipas tij, Berisha është ai i cili pronat në atë zonë nuk ja u dha pronarëve, por ja u dha grekëve.
“Grekët s’janë minoritet në Shqipëri por thjesht diasporë. Ata nuk jetojnë në toka etnike greke por erdhën emigrantë në pronat e gjyshërve tanë dhe punuan si hyzmeqarë. Më pas pronat tona, Berisha s’na i ktheu ne pronarëve por ja u ndau hyzmeqarëve që emigruan nga Greqia në jugun e Shqipërisë”, shkruan Spahiu.
Por me këtë deklaratë Spahiu rrëzon Sali Berishën. Sot ky i fundit reagoi për vizitën e Mitsotakis dhe deklaroi po ashtu se në Himarë nuk ka minoritet, por gazetarët e nxorën blof. Ata i kujtuan se ai në Himarë nuk zhvilloi primare dhe ja la bashkinë partisë së minoriteti grek PBDNJ. Por dhe Spahiu i ka kujtuar se si ju dha pushtet dhe të drejta minoritarëve, ndryshe nga sa shprehet tani.
“Himara ka një realitet të pamohueshëm, që disa fshatra janë dygjuhëshe, qyteti ç’është e vjetër, porti i vjetër është i miksuar, por këto si gjuha, nuk e bëjnë vërtet Himarën gjë tjetër vetëm bastion i shqiptarisë. Himara së bashku me Malësitë e Alpeve kanë pasur kodet, kanunet e tyre. Ajo ç’ka mund të them unë është kjo. Kryeministri i Greqisë mund të vizitojë çdo zonë, por Himara me të gjithë historinë dhe dokumentet e saj është shqiptare”, tha Berisha.
Kreshnik Spahiu shprehet se Berisha ishte ai që ju bëri qokën grekëve. Sipas tij, ai ju dha aq shumë të drejta, sa edhe në Greqi nuk do i kishin.
“Gëzojnë më shumë të drejta, se me ardhjen e Berishës në 2005 ju garantua një paketë të drejtash, duke nisur nga censusi dhe besimi fetare, gjë që nuk ndodh në Greqi. U garantoi 6 varreza kolektive të ushtarëve grekë që nuk janë as për shqiptarët në Çamëri. U siguroi marrëveshjen për demarkacionin e ujërave dhe një autonomi të gjerë me baza etnike të komunave që janë që hap mundësinë për një asosacion të komunave greke”, tha ai. / pamfleti.net