Elvis Mataj më ka pohuar në mënyrë të përsëritur, mua personalisht se: Kastriot Ismailaj i ka çuar në shtëpi Ilir Metës, në një çantë ngjyrë kafe, rreth 200 milionë lekë të vjetra…
Ilir Meta dyshohet se është fundosur nga një bashkëpunëtor i tij sa i takon aferës CEZ-DIA.
Sot ish-presidenti u mor në pyetje mbi 3 orë në SPAK dhe qëndrimet e tij para gazetarëve japin sinjale se Meta e ka pisk punën. Përveç provave të vjetra që dihen tashmë, mësohet se SPAK ka administruar dëshmi të reja. Një ndër personat që flitet se ka folur është Elvis Mataj. Ky i fundit dikur ka qenë kreu i LRI dhe bashkëpunëtor i Ilir Metës. Por Mataj ishte dhe Drejtor Ekzekutiv i kompanisë DIA dhe ishte ai i cili zbuloi pazaret e Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt.
Hetimet e SPAK bazohen në një padi të juristit Romeo Kara dhe në këtë padi, juristi ka treguar me detaje mbi lëvizjet e Elvis Matajt. Madje Kara ka pasur dhe biseda me të, të cilat i tregon në padi.
“Elvis Mataj ka pasur njohje te hershme me Ismailajn. Ai ka bërë edhe disa punë të tjera për të, kur ka pas punuar si drejtor, në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Elvisi ka pasur edhe me Ilir Metën njohje të hershme, pasi kanë milituar bashkë në Forumin Rinor Eurosocialist, si dhe në LSI. Elvisi është themelues i LSI si dhe drejtuesi i parë i LRI. Po kështu Elvis Mataj është edhe vëllai i ish-këshilltarit të kryeministrit Berisha, Endri Mataj”, thuhet në padi. Duhet theksuar se Elvis Mataj ka pasur rol thelbësor dhe në gjyqin ndaj Kastriot Ismailajt, i cili u dënua me burg.
Kara ka rrëfyer dhe bisedat me ish-zyrtarin e DIA, Elvis Mataj. Sipas tij, ai i ka rrëfyer lidhjet e Metës me Kastriot Ismailin. “Sipas asaj që ka pohuar disa herë, në ambiente të ndryshme vetë Ismailaj, apo ish-drejtori ekzekutiv i DIA-s Elvis Mataj, dyshja Meta-Ismailaj janë takuar në Pragë me dyshen Martin Roman & Tomas Pleskash, të cilët kanë qenë përkatësisht numrat 1 dhe 2 drejtues të CEZ-group. Ismailaj me mburrje në më shumë se një rast, ka pohuar se: ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi, u aksidentua qëllimisht nga pala çeke, që ai të mos ishte i pranishëm në takimin e sipërpërmendur”, ka rrëfyer juristi. / pamfleti.net