




Arrestimi i dy mjekëve disa javë më parë nxorri në protestë bluzat e bardha. Ky tubim i ka bërë përshtypje kryeministrit Edi Rama, i cili kishte dëgjuar fjalimin e një mjeku që kërkonte legalizimin e ryshfetit.




Të turpshëm e quajti Rama propozimin. Ai u shpreh se autonomia spitalore do ta kalojë në një nivel tjetër shpërblimin e mjekut. Megjithatë Rama u shpreh se jo të gjithë bluzat e bardha fusin duart në xhepat e familjarëve. Sipas Ramës nuk mund të ketë barazim për punën që kryhet mes mjekëve.




“Më bëri përshtypje një grumbullim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Ishte vërtetë mbresëlënëse, për nga niveli i kurajos dhe nga paturpësia e propozimit. Niveli i shpërblimit të mjekëve dhe infermierëve duhet rritur dhe ne do ta rrisim, siç e kemi rritur.




Nuk është zotim elektoral, zgjedhjet kanë mbaruar, por është zotim i planifikuar që të mbahet që pagat për bluzat e bardha të rriten deri në 40%. Edhe kjo në vetvete nuk i thotë të gjitha pasi me autonominë spitalore duhet të kalojmë në një nivel tjetër të shpërblimit të mjekut duke krijuar një dysheme, por në këtë dysheme mjekët të mos paguhen njësoj, por sipas mundit dhe cilësisë që bëjnë.








Të thuhet që ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin është një mesazh për ndërhyrjen në sistem që ka filluar të ndjehet dhe të shtrihet më thellë. Nuk mund të ketë në asnjë mënyrë barazim të të gjithë mjekëve dhe bluzave të bardha në perceptimin se të gjithë janë njësoj dhe të gjithë fusin duart në xhepat e familjarëve apo të pacientëve. E vërteta nuk është kështu”, u shpreh Rama.