Minierat e arit të Ilir Metës në Kongo maskuar pas Kastriot Ismailajt; roli i Adriatik Llallës e Nasip Naços

Pas fillimit të hetimit në Kongo, Kastriot Ismailaj e shiti koncesionin te izraeliti Dan Gertler dhe iku pa shlyer 30 milionë USD që mori te Banka Publike e Kongos, ndërsa në Shqipëri hetimi u bllokua

Dy vjet pas ardhjes së Sali Berishës në pushtet, nëpërmjet Kastriot Ismailajt të CEZ-DIA, Ilir Metaj hodhi miliardat e vjedhura gjatë kohës kur ishte kryeministër i PS, për marrjen e një koncesioni minierash të nxjerrjes së arit e zinkut në Kongo.

Këtë biznes e denoncoi gazeta zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” në muajin nëntor 2009, mbasi ishte marrë duke mashtruar me logon e një kompanie gjoja zvicerane “United Resources AG”, që në Zvicër nuk ekzistonte fare, kur Ismailaj mori koncesionin.

Pas publikimit të mashtrimit, drejtësia në Zvicër filloi hetimin, me dërgimin e një Letër-Porosie në drejtësinë e Republikës së Kongos, prej të cilës, u zbulua se Kastriot Ismailaj i kishte përdorur logot false “United Resources”, në emër të firmës “AIC” në Shqipëri me 1 punëtor, dhënë nga ministri Genc Ruli sikur kishte minierat me 6000 punëtorë në Shqipëri.

Koncesioni ishte 30 vjeçar, me projekt investimi fillestar 240 milionë USD dhe 420 milionë USD në total, me fitim të pritshëm të planifikuar 22 milionë USD në 10 vitet e para, ndërsa në total 70 milionë USD për 30 vite aktivitet, me detyrim 0.5% të fitimit ndaj shtetit të Kongos.

Pas Letër-Porosisë së Zvicrës, drejtësia e Kongos ia përcolli dosjen parlamentit kongolez, i cili në janar 2010 ngriti komision hetimor, që zbuloi se Kastriot Ismailaj e kishte marrë koncesionin e ar-zinkut me letra zvicerane e shqiptare false, sikur kishte minierat e bakër-kromit.

Mes tyre, ishte një dokument fals nga Banka e Shtetit Shqiptar, ku guvernatori Ardian Fullani, “zar” i Ilir Metës, i deklaronte Ministrisë së Minierave të Kongos, sikur gjoja firma zvicerane “United Resources” në pronësi 98% të Kastriot Ismailajt dhe firma “AIC Sh.p.k” 100% në pronësi të Ismailajt, kishin kapital 1 miliardë USD.

Nga hetimi parlamentar, doli se fillimisht kompania është regjistruar si “Dominicus AG” me 1 shtator 2006 në Ekuador. Më 22 prill 2008 e u bë “United Resources AG” si gjoja kompani zvicerane, ndërsa 1 vit para ndërrimit të emrit, më 14 shkurt 2007 mori minierat e ar- zinkut.

Po kështu, komisioni hetimor parlamentar kongolez, nëpërmjet sistemit TIMS, konstatoi se në muajin shtator 2006; në muajt prill e nëntor 2007 dhe në muajin dhjetor 2009, Kastriot Ismailiaj e Ilir Metaj kanë qenë bashkë në Kongo.

Ilir Metaj nuk shkoi si Ministër i Jashtëm, por bashkë me Kastriot Ismailajn, u paraqitën si përfaqësues të kompanisë qiprioto-kanadeze “East Point Holding” të grupit “La Point”, për ta bërë më të besueshëm marrjen e koncesionit të minierave të ar-zinkut.

Pas fillimit të hetimit në Kongo dhe pasi kishte prodhuar e shitur afro 60 milionë Euro minerale, Kastriot Ismailaj e shiti koncesionin “United Resources-Kipushi LTD”, te sipërmarrësi izraelit Dan Gertler, ndërsa Ismailaj iku pa shlyer kredinë 30 milionë USD që mori te Banka Shtetërore e Kongos, me garantore kompaninë shtetërore të minierave “Gecamines”.

Në muajin dhjetor 2013, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë të Shqipërisë, erdhi një Letër-Porosi për marrjen në pyetje të Kastriot Ismailajt si person nën hetim, por procesin e bllokuan ish-prokurori Adriatik Llalla dhe ish-ministri Nasip Naço i LSI.

Pas suksesit të mashtrimit me minierat ar-zinkut në Kongo, në janar 2010, Ilir Metaj i propozoi dhe i besoi Kastriot Ismailajt aferën CEZ-DIA, por pas vjedhjes më të, Ismailaj u dënua 11 vite burg, ndërsa Ilir Metaj u bë Kryetar Kuvendi, President e sot po luf.ton për të marrë pushtetin në emër të luf.tës kundër korrupsionit. /Pamfleti