Greqia kërcënon Shqipërinë për arrestimin e Belerit, kryeministri Mitsotakis: Lirojeni menjëherë nëse doni anëtarësimin në BE

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar për arrestimit e kandidatit për kryebashkiak të Himarës, Fredi Beleri.

Ai ka kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm duke kërcënuar Shqipërinë me anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

“Më lejoni këtu të hap një parantezë dhe të them diçka për një ngjarje jashtëzakonisht të pakëndshme që ndodhi në Shqipërinë fqinje, mëngjesin e sotëm, ku fatkeqësisht u arrestua kandidati për kryetar të Bashkisë Himarë dhe anëtari i Minoritetit Kombëtar grek, Fredi Beleri.

Dua, këtu nga Lesbos, t’i dërgoj një mesazh vendit mik, Shqipërisë. Greqia nuk do të pranojë asnjë tolerim të sundimit të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke. Nëse Shqipëria dëshiron të afrohet me BE, ka detyrimin të sigurojë zgjedhje vendore të lira dhe të ndershme dhe të lirojë menjëherë ata që ka burgosur në mënyrë që të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Ka vetëm një mënyrë për të qenë të sigurt se rruga e progresit do të vazhdojë, që Demokracia e Re të forcohet në kutitë e votimit më 21 Maj. Që edhe ne të dërgojmë një mesazh fuqie për fqinjët tanë, se jemi në vend i fortë dhe vend me besim.”, theksoi Mitsotakis, raporton gazeta greke Protothema.

Në një reagim të dytë në Facebook, Mitsotsakis thotë se për arrestimin e Belerit, ka vënë në dijeni edhe Bashkimin Europian.

“Informova Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen për arrestimin e kandidatit të Bashkisë së Himarës dhe anëtarit të minoritetit grek Fredi Beleri dy ditë përpara zgjedhjeve. Shqipëria duhet të kuptojë se Greqia dhe BE nuk do të pranojnë asnjë tolerim të zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke”., shkruan ai.