Evi Kokalari, ish-aktiviste e ‘flaktë’ në Foltore për rikthimin e Sali Berishës në krye të PD-së, tashmë duket e zhgënjyer nga kjo forcë politike. Kokalari ka sulmuar kandidatin e Sali Berishës për kryetar bashkie të Tiranës, Belind Këlliçin, pasi portali i familjes së Berishës e kishte shpallur ‘njeriun e vitit’.
Për Kokalarin, njeriu i vitit në politikë nuk mund të jetë Belind Këlliçi, pasi sipas saj ka gënjyer edhe për diplomën e gjimnazit që nuk e ka mbaruar.
Në një postim në “Facebook”, Evi Kokalari, akuzon rëndë Belind Këlliçin, se nuk e ka përfunduar të plotë gjimnazin e “Harry Fultz” në Shqipëri, dhe se ka mashtruar në formularin e aplikimit të fakultetit në SHBA, duke kryer një krim federal.
‘Si mund të jesh ‘njëriu vitit në politikë’ kur ke gënjyer dhe për diplomën e gjimnazit që NUK e ke mbaruar?… dhe më vonë gënjen në aplikacionin e fakultetit në Amerikë duke thënë se ke mbaruar gjimnazin. Ky konsiderohet krim federal në SHBA. Pastaj thotë se fitoi bursë sepse ishte kampion tenisi.
Po që i vëllai punonte tek ky fakultet kur ky kampioni ’fitoi’ burse, e deklaroi? E fitoi apo ja mundësoi vëllai? Ju qofshi me këta mashtrues dhe me këtë mediokritet. P.s. Harry Fultz duhet ti jap medias menjëherë diplomën e personit në fjalë. Diplomën dhe jo vërtetim që ka bërë katër vite gjimnaz.’- shkruan Kokalari.
Përçarja e Evi Kokalarit dhe Belind Këlliçit ndodhi pasi aktivistja demokrate akuzoi Këlliçin për manipulime në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha. Kokalari akuzoi Këlliçin se kishte lobuar dhe orientuar votat për të siguruar një vend në Kryesi. Ndërkohë, pas akuzave, deputeti demokrat e ka paditur në gjykatë Kokalarin, duke thënë se do të provojë shpifjet e saj./Shqiptarja.com