Dosja “Haklaj”, detyrim që SPAK t’i japë “hakun” Sali Berishës për vrasjet e 200 djemve të Tropojës

Nëse do ketë skenar për ta pushuar çështjen me zvarritje e tejkalim afatesh, ekspertët thonë se me ato prova që ka dorëzuar Zylfije Haklaj në SPAK, hetimi për rolin e Sali Berishës në vrasjet e Tropojës është i thjeshtë edhe për një asistent prokuror në praktikë, e jo më për Altin Dumanin dhe vartësit e tij që kanë nga 20 vite përvojë në krimet e rënda

Kasaphana me 200 djem të vrarë të Tropojë, filloi më 10 qershor 1997 me vrasjen e Sokol Haklajt, ish-gjyqtar në atë rreth, dhe zinxhiri i vrasjeve mes fiseve e krushqive, me nxitës, urdhërues e financues Sali Berishën, u mbyll më 8 maj 2002 me vrasjen e babë e bir Elez dhe Çelë Haklaj, ndërsa pasojat vazhdojnë edhe sot.

Prej 26 vitesh, drejtësia që ishte dhe është nën kontrollin e Sali Berishës dhe miqve të tij Fatos Nano, Ilir Metaj e Edi Rama, grumbullonte provat e çdo vrasjeje tropojani, por asnjëherë nuk e thirri Sali Berishën as si të akuzuar.

Atë që nuk e bëri asnjë prokuror i SPAK këto 3 vite gjysmë, për të nisur hetime kryesisht për 200 viktimat e Tropojës; e bëri Zylfije Haklaj, motra e 4 vëllezërve të vrarë prej dorës së krimit, të nxitur e urdhëruar prej çmendurisë, hakmarrjes e hasmërisë së sajuar nga Sali Berisha.

Zylfije Haklaj

Ajo ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal ndaj Sali Berishës, shoqëruar me 14 orë deklarime me data, vende, skenarë, kurthe, emra vrasësish e viktimash, bashkëpunëtorësh dhe emër urdhëruesi, financuesi e mbrojtësi, të vrasësve të vëllezërve të saj e të tjerëve.

Tashmë, SPAK ka në tavolinë një kallëzim- raport konkret me detaje e regjistrime audio-video, për rolin e Sali Berishës në vrasjet e Tropojës dhe konkretisht të 4 vëllezërve Halil, Fatmir, Shkëlqim e Ylli Haklaj, për të cilët ka bërë kallëzim motra e tyre.

Është e drejtë ligjore e kallëzueses të kërkojë drejtësi dhe detyrim i SPAK, që Sali Berishës t’i japë “hakun” për vrasjen e 4 vëllezërve të saj; dhe për ndikimin e tij në vrasjet zinxhir, që ishin pasojë e nxitjes së hasmërive mes familjesh e fisesh në Tropojë, si hakmarrje e “non gratës”.

Nëse nuk do ketë skenar për ta pushuar çështjen me zvarritje e tejkalim afatesh, ekspertët thonë se me ato prova që ka dorëzuar Zylfije Haklaj në SPAK, hetimi për rolin e Sali Berishës në ato vrasje, është i thjeshtë edhe për një asistent prokuror në praktikë, e jo më për Altin Dumanin dhe vartësit e tij që kanë nga 20 vite përvojë në krimet e rënda.

Nuk ka nevojë, as për më shumë kohë hetim, si skenar për të përfunduar afati procedurial e të pushohet çështja, që Sali Berisha të mos thirret as për t’u përballur me akuzën për vrasjen e 4 vëllezërve Haklaj, por edhe me familjarë viktimash të tjera.

SPAK, mjafton ta fillojë hetimin nga urdhri që Sali Berisha, u dha trup rojeve e të fortëve të tij si Agron Kuliçaj më 22 qershor 1997 në Tropojë, për të rrëmbyer e çuar në Tiranë të ndjerin Shkëlqim Haklaj, ndërsa 6 muaj pas urdhrit të Sali Berishës, më 4 janar 1998 u vra në një kurth në Luzhë të Tropojës.

Dihet, që kur Sali Berisha urdhëronte për rrëmbime e eleminime fizike, ndodhte si me Remzi Hoxhën, Kosta Trebickën, Azem Hajdarin, Sokol Olldashin, Safet Zhulalin, Bashkim Gazideden dhe 4 vëllezërit Haklaj. /Pamfleti