Deklaratat e Fredi Belerit, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, për helenizim të kësaj zone në jug të vendit, janë në qendër të politikës së ditës. Kryeministri Edi Rama e ka quajtur atë “maskara” për ato që ka thënë dhe kërcënimet e shqiptarëve në Greqi.
Berisha dhe Meta si drejtues të koalicionit që ka kandiduar Belerin, nuk kanë pranuar të komentojnë deklaratat e tij për helenizimin e Himarës.
Mirëpo, një dokument i publikuar nga socialisti Taulant Balla, tregon se Shërbimi Informativ i Shtetit mbante nën survejim shtetasin Alfred Beleri dhe e konsideronte ekstremisë të “Omonias”.
Shkresa i është dërguar ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj, në vitin 2007. Në këtë periudhë vendi drejtohej nga kryeministri Sali Berisha dhe Shërbimi Informativ, njoftonte se Alfred Beleri kërkonte destabilizimin e Himarës.
“Kur Sali Berisha ishte Kryeministër, informohej zyrtarisht nga SHISH se Alfred Beleri është një person i dënuar, i shpallur në kërkim për “thirrje për urrejtje nacionaliste”, në prag të zgjedhjeve vendore. Sot ky person është kandidati i Sali Berishës dhe Ilir Metës në Himarë dhe për turpin e tyre guxon të flasë për helenizim të Himarës. Ky është kulmi i maskarallëkut për të tre”, shkruan Taulant Balla.