
Sot, do të shkruaj për jetën e natës në metropolin tonë, Tiranë. Nuk mbahem nga ata persona, të cilët e frekuentojnë shpesh këtë të fundit, por vetëm një natë më mjaftoi për të mësuar se “ç’gatuhet” aty…
E shtunë, ditëlindja ime… Asnjëherë nuk më ka pëlqyer të festoj ditëlindjet e mia, e aq më tepër të flas për to. Madje, përherë kam pasur bezdi edhe t’i “deklamoj” ato përpara të tjerëve. Më duket një zhurmë e kotë, e panevojshme, por sot rrjetet sociale të nxjerrin zbuluar. Edhe po ta harrosh, të rikujtojnë ata një javë më para, jo vetëm ty, por edhe qindra miqve të tu interaktivë dhe ti nuk ke se ç’bën… Atëherë do të duhet t’i mbledhësh diku, do të mundohesh t’i argëtosh, t’i qerasësh me më të mirat… Ashtu bëra…
Bashkë me dy miqtë e mi më të mirë, u mblodhëm në një bar–lounge të qytetit, menduam të kalonim disa orë të mira me njëri-tjetrin. Rroftë sebepi që na mblodhi! U rehatuam në një tavolinë atypari… Secili prej nesh i kishte sistemuar mirë punët e ditës dhe tanimë ishim të tre të lirë të argëtoheshim dhe të rrëkëllenim ndonjë gotë alk ool.
Bar-i është i thjeshtë në dukje…, jo shumë modern, por i këndshëm… Po afronte mesnata… ambienti është mbushur plot, dritat e kanë humbur shkëlqimin e fortë dhe vezullues dhe atmosfera është bërë më e ngrohtë!
Ne jemi aty, tre miqtë e përhershëm e të kudondodhur bashkë. Tavolinës tonë i bashkohet edhe PR-i i bar-it në fjalë. Ai ishte mik i njërit prej miqve të mi. Një djalë i ri, shtatgjatë dhe gazmor. Vjen drejt nesh… afrohet, më uron me përzemërsi dhe bëhet pjesë e bisedave dhe diskutimeve tona pikante.
Tashmë ka kaluar mesnata… pasi i kemi kthyer gotat e para të alkoolit, bisedat sa po vijnë e po bëhen pa “dorashka”, të paturpëta… Djaloshi i ri miqësohet mirë me ne, siç duket i kish ngjitur biseda dhe ato orë po i shijonte… Na tregon pak për mbarëvajtjen e bar-it, si funksiononin gjërat aty… Ne, të tre veshëngritur dëgjonim me kureshtje…
Të katërt ne kishim ardhur në qejf, pija kish bërë të sajën… ora 02:00 pas mesnate…
“Tani është orari tipik i qerosave me kapele dhe me BMW”- më thotë me një ngërdheshje nën dhëmbë djaloshi. Nuk e kuptova, ku do të dilte, por me të kthyer sytë nga pjesa e jashtme e bar-it, shoh disa makina të mira, luksoze që ta bënin me sy. Nga ato mjete moderne zbresin disa burra rreth moshës 30-40 vjeç. Të veshur mirë, të krekosur, të palestruar ata zënë vendin në lokal. Është një vend i tillë, që lehtësisht bie në sy… Pasi lënë aromën e tyre të fortë të parfumit të shtrenjtë.
“Këta janë të përhershmit”- na tregon djali i ri, tanimë me një pamje serioze në fytyrë. Iu hedh një vështrim të përciptë… sipërfaqësor… nuk më ngjallin ndonjë kuriozitet të veçantë… Fill pas disa minutash hyjnë edhe ca djem të rinj, të cilët i bashkohen tavolinës. \